
Të premten pasdite deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të tretën ditë radhazi në seancë të jashtëzakonshme. Kjo urgjencë u bë për faktin se një nga pesë marrëveshjet me Bankën Botërore kishte datë skadence 13 shkurtin. Kuvendi arriti të shpëtojë mbi 90 milionë euro për marrëveshjen që lidhet me zhvillimin e politikave për efektivitetin fiskal, konkurrushmërinë dhe rritjen e gjelbër.
Në të njëjtën seancë u soll edhe buxheti i vitit 2026 për të cilin Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të votohet me procedurë të përshpejtuar.
“Çka ne kemi dashur të bëjmë si qeveri e sapo miratuar nga Kuvendi ka qenë që të sigurojmë mbarëvajtjen e vendit, funksionimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore. Zgjatja për muajin mars siguron vetëm shpenzimet rrjedhëse”, tha Hekuran Murati, ministër i Financave.
Partitë opozitare kundërshtuan propozimin e mazhorancës duke kërkuar më shumë kohë për të analizuar këtë projektligj, shkruan A2 CNN.
Sipas tyre, qëllimi i Qeverisë është që të shmanget debati për buxhetin e këtij viti.
“Nuk kërkoi askush që të humbet kohë dhe vendi e Qeveria të vendoset në vështirësi, por kërkuam një afat të arsyeshëm prej tri ditëve”, tha Bedri Hamza, PDK.
“Nuk mund të pranojmë një fakt që brenda tri orëve të trajtojmë një buxhet jetësor të Kosovës. Nuk është serioze. E dini se s’është serioze, për aq kohë sa arritëm të lexojmë, ky ligj i buxhetit nuk e reflekton as këtë qeveri këtu. A e dini se katër ministra apo pesë nuk kanë buxhet për veti”, u shpreh Abdixhiku.
Për shkak të këtyre mospajtimeve dhe në konsultim me shefat e grupeve parlamentare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu vendosi që seanca për buxhetin të vazhdojë të hënën. (A2 Televizion)