Më 17 Shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pritet të mbahet një marsh protestues në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Platforma “Liria ka emër”, si organizatore, ka zgjedhur këtë datë në përvejtorin e pavarësisë së Kosovës, me synimin për të dërguar një mesazh ndaj Gjykatës Speciale. Kërkesa kryesore është e përmbledhur në sloganin “Drejtësi, jo politikë”.
Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” thonë për A2 CNN se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe në kuadër të organizimit, është zhvilluar një tur takimesh me kryetarë komunash në gjithë vendin për të dhënë mesazhin simbolik dhe atë organizativ.
Ismail Tasholli tha: “Simbolik është që ata njerëz janë me prejardhje të ndryshme politike dhe është mesazhi simbolikës së unifikimit dhe ajo tekniko-organziativ për shkak se neve na duhen disa pika grumbullimi dhe të organizohet me autobusë ardhja dhe kthimi mbrapa sepse Liria ka Emër është platformë që operon dhe funksionon mbi baza vullnetare dhe kjo ndihmë është e domosdoshme për realizimin e suksshëm të atij marshi, e asaj proteste”.
Organizatorët thonë se mesazhi i marshit është i dyfishtë, unifikimi i brendshëm dhe adresimi i komunitetit ndërkombëtar. Sipas tyre, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet përtej përkatësive partiake dhe përbën pikë reference në historinë politike të vendit.
Ata pretendojnë se trajtimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë i padrejtë ndër vite dhe kërkojnë rishikim të qasjes ndaj tyre.
“Qytetarët e Kosovës tashmë janë të vëmendshëm se kanë pasur edhe kohë të gjatë për të parë ato anomali, kanë pasur kohë të gjatë që të shpërndahet mjegulla e përfitshmërisë politike dhe tashmë janë të unifikuar, ajo po vërehet në takimet që i kemi, entuziami është rritur edhe për shkak të afrimit, të emocionit me verdiktin”, u shpreh Tasholli.
Me kërkesat për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së tashmë janë mbajtur dhjetëra protestë në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë dhe vendet të tjera. (A2 Televizion)