Pakënaqësitë e Uashingtonit, aleanca me SHBA jetike, përplasjet mund të çojnë në izolim

Nga Ideal Gola
1 Prill 2024, 19:58 | Aktualitet

Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet jetike për Kosovën dhe përplasjet me të mund ta çojnë vendin drejt izolimit. Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës ka bërë që të ketë deklarime publike nga ana e zyrtarëve amerikanë për pakënaqësi ndaj Qeverisë së Kosovës.

Njohësit në Prishtinë thonë se kështu Serbia prezantohet si shtet konstruktiv ndërsa e kundërta me Kosovën.

“Amerika është hisedare në shtetin e Kosovës dhe është krejtësisht e palogjikshme kjo luftë politike që po e bën kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës pasi në këtë mënyrë vetëm sa i krijohet hapësirë Serbisë që të përforcojë marrëdhëniet që të dal si një shtet më konstruktiv dhe në anën tjetër Kosova konsiderohet si një vend i vogël, i pafuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht që i humb edhe ata aleatë që i ka”, thotë Artan Muhaxhiri politolog.

Edhe synimet e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike vlerësohet se nuk mund të realizohen pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Lufta politike me Shtetet e Bashkuara sjell vetëm izolim, sjell bllokim të së ardhmes së Kosovës dhe kjo për secilin qytetar normal është krejtësisht e papranueshme, duhet që edhe kryeministri Kurti të veprojë në mënyrë pozitive në këtë aspekt sepse sa më shumë që vazhdon kjo betejë politike aq më humbëse do të jetë Kosova”, vijon Muhaxhiri.

Uashingtoni zyrtar i kërkoi Prishtinës që të pezullojë Rregulloren e re të BQK-së deri në një zgjidhje se si serbët do të merrnin mbështetjen financiare nga Serbia që deri dy muaj më parë bëhej përmes dinarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos