Pamfletet me përmbajtje nacionaliste dhe thirrjet pro Serbisë e kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, janë tabloja e përditshme në veriun e vendit. Situata e brishtë, ngre dilema reale nëse siguria në veri po rrezikohet nga "lufta" hibride.
Për shfaqjen e këtyre pamfleteve është hapur një rast për “nxitje të urrejtjes”, teksa Policia e Kosovës, thotë se ende nuk dihet se kush qëndron pas tyre. Eksperti i sigurisë kolonel Hysen Gecaj thotë për A2 CNN se Serbia e ka të pa mundur të bëjë një luftë të hapur për pushtimin e një pjese të territorit dhe si rrjedhoje ka nisur një tjetër lloj lufte; atë hibride.
Vuçiç sipas tij, po përdor mediat dhe organizatat si armë. Gecaj shton më tej, se grupe të kamufluara në veri, por që në thelb janë terroriste, qëndrojnë pas pamfleteve të shpërndara së fundmi, përfshirë edhe postera të Vuçiç me mesazhe kërcënuese.
Shfaqja e këtyre posterave në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, morën detyrën mes protestave të dhunshme. (A2 Televizion)