Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakkup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e kanë cilësuar aktgjykimin ndaj klientëve të tyre si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin. Në reagimet për mediat ata pretenduan se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzuan Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar.
Pierre Richard Prosper, avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Prosper e ka cilësuar vendimin si “shkelje të drejtësisë”, duke thënë se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin. Sipas tij, Gjykata Speciale ka dhënë një version të historisë që, siç pretendon ai, nuk përputhet me dëshmitë e paraqitura gjatë procesit.
“Kjo betejë do të vazhdojë. Ne do të apelojmë, por mund t’ju them se kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare. Madje do të shkoja edhe më tej dhe do të thoja se mendoj se ky është fundi i tribunaleve ndërkombëtare"
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendran, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes. Ajo ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit teksa shtoi se procesi ende nuk ka përfunduar.
“Aktgjykimi tashmë na e ka bërë të qartë se disa prova ose nuk janë marrë parasysh, ose nuk u është dhënë pesha e duhur. Ne do të apelojmë aktgjykimin. Qëndrimi ynë është se i vetmi rezultat i këtij gjykimi duhet të jetë shpallja i pafajshëm e z. Jakup Krasniqi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ajo.
Mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.
“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash. Z. Salimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund, përfundimisht, ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë ai.
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e ka konsideruar zhgënjyes vendimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se vendimi i sotëm i Speciales nuk është ditë e mirë për sundimin e ligjit, të drejtën ndërkombëtare dhe as Kosovën.
"Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë, të cilin sapo e kemi pranuar, me qëllim që të paraqesim një apelim të fuqishëm dhe të vazhdojmë luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, tha ai.
(A2 Televizion)