Autoritetet në Prishtinë i kanë ndaluar kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe shtatë peshkopëve tjerë, vizitën në Kosovë.
Këtë e bëri të ditur shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas tij, përfaqësuesi më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe do te merrte pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës, ditën e martë.
Petkoviç tha se Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat në fuqi, e kishte dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.
“Me një politikë të tillë, të urrejtjes dhe intolerancës fetare, shtypjes dhe ndalimit, e ashtuquajtura Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës. Le ta mendojnë mirë këtë të gjithë ata përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare që mbështesin një politikë të tillë”, deklaroi Petkoviç.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk do të lejohen vizita të tilla derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”. (A2 Televizion)