Rutte jep garanci për KFOR, Kremlini: Nuk i kërkuam SHBA-së tërheqjen e trupave

Nga Rosalba Bejdo
21 Shkurt 2025, 20:37 | Aktualitet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.

Këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me studentë se a sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, mes zërave se politika e re amerikane mund të çojë deri te tërheqja ushtarake e trupave në KFOR, shkruan A2.

“Nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Duhet të jemi të sigurt që ne të ruajmë fokusin në Ballkanin Perëndimor, sepse stabiliteti në Kosovë, në Bosnje dhe Serbi është në interesin e të gjithëve ne”, ishin fjalët e Rutte.

Ndërkohë, Kremlini ka mohuar raportimet e ditëve të fundit se zyrtarët rusë u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara tërheqjen e trupave të NATO-s nga shtetet lindore apo në kufi me Rusinë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos