Serbia është hakmarrë për avancimin e Kosovës drejt pranimit në Këshillin e Evropës, duke vënë në skene një pengmarrje shtetërore. Autoritetet në Prishtinë akuzojnë Beogradin se ka urdhëruar ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që po udhëtonin drejt Kroacisë dhe disa të tjerë që po ktheheshin nga Hungaria.
“Serbia po hakmerret ndaj civilëve pas votës në favor në Këshillin e Evropës. Që prej këtij mëngjesi, mbi 300 qytetarë, përfshirë fëmijë, janë ndaluar pa të drejtë në kufi, të privuar nga ushqimi dhe ilaçet”, thekson kryeministri Albin Kurti, duke akuzuar Serbinë se po bën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
Ndërsa, Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit, bën të ditur se Beogradi ka nisur një fushatë të gjerë arrestimesh masive në kufi. Mes të ndaluarve është edhe zëvendës drejtori i policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, nga komuniteti serb i Kosovës. Pas këtyre zhvillimeve, ministria e jashtme dhe ministria e brendshme në Kosovë, u kërkuan qytetarëve që të shmangin me çdo kusht kalimin nëpër Serbi, pasi nuk konsiderohet më diçka e sigurt.
Raportohet se një prej të ndaluarve ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Beograd. Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd, Fatmir Haxholli, njoftoi më herët se Serbia ka nisur fazën e hakmarrjes ndaj Kosovës, duke mbajtur të bllokuar qytetarët e Kosovës vetëm me njoftimin se është urdhër nga Beogradi. (A2 Televizion)