Lidhen dy Mitrovicat! Hapet për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër, Kurti: Vijojnë punimet për urën tjetër

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 11:01 | Aktualitet

Lidhen dy Mitrovicat! Hapet për qarkullim ura e re mbi lumin Ibër,

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për hapjen për qarkullim të një nga urat e ndërtuara nga qeveria që lidh pjesën jugore të Mitrovicës me atë të veriut. Në një postim në rrjetet sociale, ai njofton gjithashtu se po vijojnë punimet edhe për urën tjetër.

“Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim. Urime banorëve e qytetarëve të Mitrovicës së jugut dhe Mitrovicës së veriut! Përgëzime kompanisë dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, shkruan Kurti, krahas fotos nga ura.

Më herët zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, ka publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët për këtë urë.

“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar Durmishi mbi videon e publikuar në Facebook.

Ura që është hapur është për vetura dhe për njerëz dhe është vendosur pranë urës kryesore mbi Ibër që është e bllokuar për qarkullimin e veturave dhe ruhet nga Karabinierët italianë.

Gurthemeli i dy urave të reja mbi Ibër u vendos në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos