S’ka përjashtime! Riintegrimi i serbëve në institucione vetëm përmes konkurseve

Nga Ideal Gola
23 Shtator 2024, 20:40 | Aktualitet

Riintegrimi i serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës pritet të bëhet vetëm përmes rekrutimit me konkurse të ligjshme dhe jo përmes ndonjë marrëveshjeje politike. Nëse ne gjyqësor dhe prokurori kthimi i tyre është më i lehtë për shkak të dorëheqjet e tyre nuk janë aprovuar, në Policinë e Kosovës gjërat janë më ndryshe.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se presidenti serb Aleksandër Vuçiç do një polici personale që i raporton e i bindet vetëm atij por që një gjë të tillë nuk do ta lejojnë.

“Ata dëshirojnë që strukturat e tyre paralele të integrohen në Policinë e Kosovës me Nenad Gjuriqin si kryekomandant, unë nuk besoj që ka me ndodh ajo, asnjëherë nuk do të tolerohet në shtetin e Kosovës, besoj që policia duhet të jetë unitare”, tha për A2 CNN, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kërkesat e Vuçiçit që serbët të rikthehen në institucionet e Kosovës shihet edhe si përpjekje për t’u treguar si bashkëpunues në sytë e ndërkombëtarëve që mund të shohin ndryshe pas rastit të Banjskës.

“Pas publikimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale ku implikohet shteti serb dhe presidenti Vuçiç mendoj se ndërroi qasja e presidentit Vuçiç në kërkesat e tij dhe u mundua që të përfarohet me kërkesat e faktorit ndërkombëtar që kanë qenë në të kaluarën”, tha për A2 CNN, politologu Fidan Uka.

Rekrutimi në Policinë e Kosovës pritet të bëhet vetëm përmes konkurseve që do të hapën nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Besoj që strukturat tona duhet ta përcaktojnë është e rëndësishme që në kuadër të logjikës sonë për polici të bazuar në komunitet të ofrojmë rekrutim sa më shumë të rinjve dhe të rejave nga komuniteti serb, e di se MPB ka shpallur konkurse prej të cilave kanë përfituar rreth 100 policë të rinj serbë, është e rëndësishme që të kemi policë nga komuniteti serb”, u shpreh Muja.

Në nëntor të vitit 2022, mbi 550 policë serbë hoqën uniformën e policisë së Kosovës duke u dorëhequr pas urdhrit të Listës Serbe e Beogradit zyrtar pas vendimit të Prishtinë zyrtare për të mos lejuar qarkullimin e veturave me targa ilegale serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos