Katër vrasje në tri ditë kanë shqetësuar të gjithë qytetarët e Kosovës. Dy raste të ndara në Vushtrri dhe një në Prishtinë kanë bërë që të kërkohet më shumë angazhim në parandalimin e rasteve të tilla.
Si burim i gjithë këtyre vrasjeve vlerësohet posedimi i armëve pa leje nga qytetarët e që mendohet të jetë në numër të lartë deri në 230 mijë të tilla.
“Prezenca e një numri kaq të madh të armëve në duart e qytetarëve natyrisht që paraqet rrezik potencial për rendin dhe sigurinë në vendin tonë prandaj vlerësoj që sa më parë të jetë e mundur me një politike të mirëkoordinuar përmes organeve duhet të ndërmarrin veprime në drejtim të uljes së prezencës të numrit të madh të armëve në duart e qytetarëve”, tha Ardian Bajraktari, avokat.
Policia e Kosovës thotë se vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janar dhe shkurt, janë konfiskuar 235 armë të llojeve të ndryshme dhe rreth 3000 municione.
Gjatë vitit 2024, sipas statistikave policore, janë konfiskuar 1537 armë dhe 24 000 municion.
Problemi i armëve pa leje nuk duket i thjeshtë për t’u zgjidhur por mënyra më e mirë është ndiqet zinxhiri nga vijnë armët, sidomos në duart e të rinjve si dhe të punohet me këta të fundit në ngritjen e vetëdijes.
“Problemi i armëve pa leje është problem i cili vështirë të eliminohet si i tillë megjithatë poseduesit e tyre duhet të japin përgjegjësi për këto armë, qoftë për shkak se posedojnë armë pa leje por edhe për mënyrën se si i posedojnë”, u shpreh Mentor Vrajolli, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Thirrjet që të ketë ndëshkime më të rënda për poseduesit e armëve shihet si një mënyrë që mund të ndikojë në uljen e rasteve, por t’i jepet vëmendje edhe personave me histori të njëjtë kriminale.
“Duhet rishikuar edhe politika ndëshkimore me theks të veçantë sa i përket veprës penale të ‘përdorimit të armës ose mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar’ por po ashtu edhe kur kemi të bëjmë me vepra penale të cilat natyrisht që nuk janë pak raste që rezultojnë të jenë recidivistë ose përsëritës të këtyre veprave”, tha Bajraktari.
Gjatë vitit 2024 kishin ndodhur 17 vrasje në tërë vendin, një ulje prej mbi 41% krahasuar me vitin 2023 ku ishin regjistruar 29 vrasje.
Ndërsa për tre muajt e pare të këtij viti, përpos këtyre katër rasteve, një vrasje ka ndodhur në Skenderaj dhe një malet e fshatit Manastirc të Ferizajt. (A2 Televizion)
Vrasjet në Kosovë, kërkohet konfisikimi i armëve pa leje dhe dënime më të ashpra
