
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim për 15 persona të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë. Numri i personave që janë në paraburgim për manipulim me vota ka shkuar në 38 për vetëm dy komuna, Prizren e Malishevë, ndërsa mund të rritet për shkak të personave të tjerë që po mbahen në ndalim prej 48 orësh e për të cilët po priten vendime.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, të autorizuar nga KQZ, dyshohet se në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, në palestrën “Habib Zogaj”, kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në proces duke falsifikuar rezultatet, çka ka cenuar integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e votuesve.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit, nëse mbrohen në liri, mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë procedurën penale, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, shkruan A2 CNN.
Paraburgimi do të zgjasë deri më 28 shkurt 2026 dhe llogaritet nga dita e arrestimit. (A2 Televizion)