"Turp historik", ekspertët kritikojnë vendimin e speciales për ish-krerët e UÇK-së

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 19:45 | Aktualitet

Gjykata Speciale në Kosovë është vënë në qendër të kritikave nga ekspertët në Kosovë. Shkak është bërë vendimi i Gjykatës Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kërkuan largimin e disa akuzave.

Specialja po kritikohet për mungesë objektiviteti si dhe veprime që “shkojnë në favor të Serbisë”. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për rrëzimin e tërësishëm të mocionit të mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së përmes së cilit kërkohej largimi i disa akuzave nga aktakuza, që përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për Kosovapress, kritikon vendimin e trupit gjykues duke e quajtur mungesë objektiviteti nga ana e gjykatës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress se vendimi i fundit i Speciales është “turp historik” dhe akt që, sipas tij, i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KosovaPress se mbrojtja në këtë rast i ka potencuar disa pika mjaft të rëndësishme, derisa thekson se “konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, pra më 9 qershor”.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha se rrëzimi i mocionit të mbrojtjes të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, është humbje e rastit për të rikonfirmuar parimet mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos