Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.
“Me sukses, të gjithë që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për mediat në Kosovë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, shkruan A2 CNN.
Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve. Pas hyrjes në fuqi të vendimit, Aleanca Kosovare e Bizneseve, tha se ZRRE-ja ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë "dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit". (A2 Televizion)