“Zëdhënës i popullit të ndaluar” Kurti: Rexhep Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë protestave

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 13:12 | Aktualitet

“Zëdhënës i popullit të ndaluar” Kurti: Rexhep

Kryeministri Albin Kurti, ka vlerësuar akademikun Rexhep Qosja gjatë mbledhjes komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në fjalën e tij kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se Qosja ka qenë një ndër zërat më të rëndësishëm intelektualë shqiptarë, duke kontribuar në formimin kombëtar përmes studimeve për rilindasit dhe figurave të shquara të letërsisë shqiptare. Sipas tij, në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë, Qosja u shndërrua në një zë të fortë kundër propagandës dhe shtypjes ndaj shqiptarëve.

Ai e cilësoi Qosjen si zëdhënës të popullit të ndaluar, duke nënvizuar rolin e tij në frymëzimin e brezave të studentëve dhe mbështetjen e protestave të vitit 1981.

Sipas tij, puna shkencore dhe angazhimi i tij publik kanë ndikuar në forcimin e identitetit kombëtar dhe në përgatitjen e shqiptarëve për sfidat politike dhe shoqërore të dekadave të mëvonshme.

“Studimet e tij për rilindasit, sidomos vepra “Porosia e madhe”, kushtuar poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi”, deklaroi Kurti në mbledhjen komemorative  të organizuar nga ASHAK-u, me rastin e ndarjes nga jeta të akademikut, Rexhep Qosja.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, studimet e Rexhep Qosjes dhe të kolegëve të tij, për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatitën dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 e më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.

“Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav e ndërkombëtar gënjeshtrat e propagandën e atyre intelektualëve serb që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famkeq të akademisë serbe nga viti 1986, dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, Qosja u bë zëdhënësi i popullit të ndaluar. “Siç titullohet njëra prej veprave të tij të shumta, dhe kjo ishte një përmbledhje e polemikave të tij me intelektualët jugosllav të kohës”, tha ai.

Kurti u shpreh se, Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981. “Që u bënë edhe demonstrata gjithëpopullore e madje posaçërisht kur dukej që vala e tyre kishte rënë”, deklaroi kryeministri Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos