Arsenali që u kap në Banjskë, fabrika serbe pranon se ka pasur në inventar disa nga armët

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 19:36 | Kosova

Arsenali që u kap në Banjskë, fabrika serbe pranon se ka pasur

Fabrika e armëve Zastava në Kragujevc të Serbisë pranoi për herë të parë për mediat e huaja se disa nga armët e sekuestruar në arsenalin në Banjskë të Kosovës kanë qenë pjesë e inventarit të saj më herët.

Përgjigjja vjen në një kohë teksa vijojnë hetimet për të zbuluar se ku i kishin siguruar armët terroristët serbë që vranë efektivin kosovar dhe lidhjet e tyre me autoritetet serbe.

Kjo është hera e parë që fabrika më e madhe serbe e armëve konfirmon informacionet e publikuara më herët nga autoritetet në Kosovë, se grupi i personave të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës kishin armë të prodhuara në Serbi.

Mirëpo, ajo që mbetet e panjohur është se kur janë prodhuar këto armë, kujt i janë shitur dhe si kanë përfunduar në duart e sulmuesve të maskuar që u përleshën me Policinë e Kosovës.

Sipas Ligjit për prodhimin dhe tregtinë e armëve në Serbi, prodhuesit e pajisjeve ushtarake janë të detyruar të mbajnë dokumente për armët që prodhon. Në mesin e këtyre të dhënave përfshihen ato për llojin, sasinë, numrin serial, klientët dhe datat e dorëzimit.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa mbështetjes së grupit që kreu sulmin, si në aspektin e mbështetjes me armë, por edhe duke u ofruar trajnime në bazat ushtarake në Serbi.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos