Takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të mbahet të enjten e ardhshme. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë një konference të përbashkët me ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog, pas pranimit të progres-raportit për Kosovën. Ai theksoi se ky është dakordimi i vetëm që kanë arritur në takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
“Takimi i radhës mes kryenegociatorëve mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel dhe ky është dakordimi i vetëm që kemi arritur. Ky është hapi i radhës për të cilin jemi dakorduar që të mbahet takimi i radhës në Bruksel me 16 nëntor”.
Bislimi shtoi më tej se nuk ishin më në fazën e negocimit në Bruksel, por të zbatimit të marrëveshjeve. Duke iu referuar reformave të kërkuara në progres-raportin e Komisionit Europian, Bislimi tha se një shtytje e madhe do të ishte heqja e masave ndëshkimore ndaj Kosovës.
Ambasadori i BE-së kërkoi që Prishtina të ndërmarrë sa më shpejt hapat e kërkuar, përfshirë themelimin e asociacionit për heqjen e masave.
“Në fakt, kjo deklaratë është mjaft specifike për atë se çfarë pritet nga Kosova. Fokusohet në tri fusha; zbutjen e tensioneve në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme lokale dhe angazhimi në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit. Shpresojmë që hapat të merren sa më shpejt dhe masat të hiqen sa më shpejt që Kosova të gëzojë potencialin, jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga plani i rritjes.”
Szunyog përsëriti qëndrimin e BE-së se e ardhmja e Kosovës është në bllokun evropian, duke theksuar se këto nuk janë deklarata boshe.
(A2 Televizion)