Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, foli për ngërçin politik në Kosovë lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se mungesa e konsensusit mes partive ka bërë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje.
I ftuar “Off the Record”nga Andrea Danglli në A2 CNN, Hoxha u ndal te qëndrimet e partive opozitare, duke përmendur deklaratën e Bedri Hamza për të mos mbështetur kandidaturën e Vjosa Osmani.
Sipas tij, për të siguruar zgjedhjen e presidentit, votave të Vetëvendosjes duhej t’u shtoheshin edhe votat e Lidhja Demokratike e Kosovës, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të paqarta dhe kundërshtuese brenda kësaj force politike.
Hoxha theksoi se Vetëvendosje kishte kërkuar mbështetje konkrete përmes nënshkrimeve, por sipas tij, këto nuk u siguruan.
Ai tha se LDK- kishte shprehur hapur kundërshtimin për Vjosa Osmanin, duke e bërë të pamundur një marrëveshje politike.
Hoxha: Bedri Hamza, kryetari i PDK-së, tha asnjë votë për Vjosa Osmanin. Kjo ishte marrëveshja politike që u bë e pamundur.
Atëherë çfarë mbetet? Që të ketë votat e nevojshme, 66 votave të Vetëvendosjes duhet t’u shtohen 15 vota të LDK-së, që të shkohet në 81. Pra jemi në limit.
Kërkesa jonë ishte e thjeshtë: i lutemi LDK-së të na deklarojë nënshkrimet për Vjosa Osmanin që të futemi në procedurë. Por u shty vazhdimisht.
Dy nga eksponentët kryesorë të LDK-së kishin deklaruar publikisht se nuk kanë votë për Vjosa Osmanin. Pra nuk kishte ç’të bënte Lumir Abdixhiku. Donte të dilte mirë përpara elektoratit, por premtonte nënshkrime që nuk i kishte.
Shkuam deri te kompromisi i ndarjes së pushtetit. I thamë një partie me 13-15 deputetë: merrni zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit.
Po kjo ku ndryshon nga pazaret? Jo, kjo është marrëveshje për një program të përbashkët qeveritar.
Aq keq vajti regjimi në Kosovë sa u shpikën qeveri me shumë zëvendësministra, deri në mbi 100.
Ndërkohë, Abdixhiku deklaron një letër pa emrin e Vjosa Osmanit dhe më pas thotë ‘mund të jetë edhe ajo’. Pra, përsëritet e njëjta sjellje: nuk thuhet emri.” (A2 Televizion)