Lëvizja Vetëvendosje ftoi Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të propozojnë tre emra për president.
Partia e Albin Kurtit premtoi se pas këtij propozimi do të tërhiqte të dy kandidatët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku nga gara për kreun e shtetit. ALBIN KURTI KRYEMINISTËR “Le të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, të figurave që kanë reputacion të lartë për nga integriteti qytetar edhe kombëtar, por natyrisht edhe për nga kontributi profesional në shoqëri”
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dolën kundër këtij propozimi të ri të Kurtit. Ata thanë se ai po tenton të fajësojë opozitën për zgjedhjet e reja të parakohshme. BEDRI HAMZA PDK “Ka pasur mundësi të diskutohet në tavolinë në takimet ku kemi qenë bashkë, por nuk ka pasë seriozitet nga LVV, sikur nuk ka tash. […] Ne e kemi dhënë përgjigjen tonë dhe nuk ka ofertë serioze nga ana e tyre, por krejt janë manovra politike me qëllim të konsumit politik”.
Ramush Haradinaj i AAK tha: “Jemi dy ditë para fundit të afatit kushtetues, tani ky një lloj ultimatumi i tij, pjesë e strategjisë së tij mos me zgjedh presidentin, me dërgu vendin në zgjedhje. Një kryeministër që është serioz, kryetar i një shumice serioze, këtë ide do ta kishte dhënë në ditën e parë”.
Lidhja Demokratike e Kosovës u tregua më e hapur ndaj idesë, por kërkoi sërish marrëveshje politike. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, sfidoi Vetëvendosjen me idenë e Vjosa Osmanit, që tha se mund të jetë kandidate e tyre. Lumir Abdixhiku i LDK tha: “Ne e patëm një takim në grup, u dakorduam që për propozimin e LDK-së, që del propozim zyrtar i LDK-së, ne i kemi 15 vota, por s’e përjashtojmë dhe mund të jetë kandidat edhe Vjosa Osmani, por tani më duhet ta di a i ka 66 vota ai?”
Paraprakisht, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se Osmani mund të jetë një kandidate e mundshme që mund të marrë nënshkrimet e tyre për t’u hedhur në votim. Arbërie Nagavci i LVV shprehet: “Nëse LDK ose PDK propozon zonja Osmanin si njërën nga tre emrat, patjetër që një nga tre emrat që mund t’i propozojnë patjetër që do të ishte një nga kandidaturat e cila do të vendosej në Kuvend si propozim për zgjedhjen e presidentit apo presidentes”
Lëvizja Vetëvendosje ka lënë të hapur mundësinë që për këtë propozim të ri të diskutojë deri të dielën në mbrëmje.
(A2 Televizion)