Debat i tensionuar në Kuvendin e Kosovës, deputeti i VV: Thaçi do ketë fatin e Murselit

Nga Ideal Gola
21 Prill 2026, 19:58 | Kosova

Debat i tensionuar në Kuvendin e Kosovës, deputeti i VV: Thaçi

Një debat i tensionuar ka përfshirë seancën e sotme parlamentare në Kosovë, ku deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, kanë nxitur reagime të forta nga radhët e opozitës, raporton A2CNN. 

Geci, duke përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e Naim Murselit, ka bërë një paralele të papritur duke deklaruar se të njëjtin fat do ta ketë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili po akuzohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kjo deklaratë erdhi si kundërpërgjigje ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili gjatë debatit u shpreh se deputetët e pushtetit kanë nisur të dridhen pasi po e ndjejnë erën e rikthimit të Thaçit.

Geci iu drejtua deputetëve të PDK-së duke thënë se ata që shpresojnë në lirimin e liderit të tyre suprem, do të zhgënjehen pasi ai do të ketë fatin e njëjtë me të dënuarit e sotëm. Pas kësaj gjuhe, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ia tërhoqi menjëherë vërejtjen deputetit Geci, ndërsa reagoi ashpër deputetja Vlora Çitaku nga PDK.

Ajo tha se Geci nuk e meriton të quhet as deputet ndërsa shtoi se i duket e pabesueshme që “nga foltorja e Kuvendit të Kosovës vjen një lutje në formë urimi për burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci nxituan të distancohen nga gjuha e Gecit duke thënë se nuk përfaqësojnë qëndrimet e partisë së tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos