Tre subjektet kryesore politike në Kosovë duket se janë larg arritjes së një marrëveshjeje për çështjen e presidentit, duke bërë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Kjo pasi, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, dështuan që të arrinin një marrëveshje të hënën, ndërkaq disa orë më vonë, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, tha se e konsideron “të mbyllur” kontributin e saj sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.
Kryeministri Albin Kurti i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës postin e kryeparlamentarit në këmbim të qëndrimit të deputetëve të tyre në sallë në seancën qe do të mundësonte zgjedhjen e presidentit. Kryetari i PDK, Bedri Hamza deklaroi se e kanë refuzuar këtë ofertë.
Ndonëse kanë mbetur edhe një javë kohe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të zgjedhur presidentin, pas këtij vendimi të PDK dhe të LDK më herët, bëhet e pamundur zgjedhja e kreut të shtetit. Kjo nënkupton se vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të tretat brenda një periudhe gati një vjeçare. (A2 Televizion)