Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën refuzoi dy oferta të Lëvizjës Vetëvendosje në bisedimet për zgjedhjen e presidentit dhe përjashtoi veten nga diskutimet e ardhshme për këtë proces.
Partisë së Lumir Abdixhut iu ofrua posti i zëvëndëskryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Ndërsa oferta e dyta, ishte posti i kryeparlamentarit.
Në këmbim, deputetët e LDK-së duhet të merrnin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e Glauk Konjufcës si president i ri i Kosovës.
Kreu i LDK Lumir Abdixhiku tha: “U dakorduam që të mos takohemi dhe nuk kemi pse takohemi sepse i harxhuam 53 ditë, nuk patem zgjidhje, prap të takohemi edhe një herë të flasim për president të Vetëvendosjes? Nuk ka kuptim, efektivisht prej këtij momenti LDK e konsideron të përmbyllur këtë çështje”.
Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku deklaroi nuk ishte i interesuar të bisedonte për bashkëqeverisje pa u zgjidhur çështja e presidentit.
Sipas tij, oferta për kryeparlamentarin nuk çon peshë meqë Vetëvendosje ka shumicën në Kuvend.
“Presidenti i Kosovës s'duhet të jetë zgjatim i qeverisë. Pra, s'mund të ketë një qeveri që ka një president të një partie dhe kështu t'i ketë të tre institucionet. Pra, heqja e kryetarit të Kuvendit nuk është që e heq rolin institucional. Kuvendi i Kosovës operon me shumicë, që i bie që i takon shumicës. Qeveria operon po ashtu me shumicë, që i takon shumicës. Tani dhe presidenti t'i takojë 51 përqindëshit është më tepër sesa vullneti i qytetarëve”, u shpreh Abdixhiku.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti shprehu keqardhjen për dështimin e bisedimeve me LDK-në duke thënë se nuk propozuan asnjë emër dhe nuk patën kërkesa në takim.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh: “Kjo është për të ardhur keq sepse në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja tërësisht të panevojshme që i humbin kohë shteit të Kosovës por edhe buxhetit të Kosovës mjete”
Kurti tha se i ka kërkaur takim kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, por shtoi se oferta për bashkëqeevrisje nuk vlen për këtë parti. Ai tha se PDK duhet të tregohet serioze dhe të vijë në takim, pasi kishte premtuar se do të kontribuonin në këtë proces.
“Posa përfundova këtë takim dhe para se të vijë këtu te ju, i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe tashmë le të shohim se çka ëhstë e mundur që të ecim përpara, por me këtë rast dua të theksoj që propozimi ynë, oferta e jonë e cila u refuzua për bashkëqeverisje me LDK-në, ka qenë ekskluzive për LDK”, tha Kurti.
Në rast se Kuvendi dështon të zgjedh presidentin deri të martën e javës tjetër, datat e mundshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë 31 maj dhe 7 qershor. (A2 Televizion)