Vrasja e Liridona Ademajt, burg përjetë për Naim Murselin dhe Granit Plavën

Nga Ideal Gola
21 Prill 2026, 17:23 | Kosova

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Murseli dhe Plava u shpallën fajtorë për veprën penale të “vrasjes së rëndë në bashkëkryerje”, ndërsa Graniti u dënua gjithashtu edhe “për mbajtje pa autorizim të armëve”.

I akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla u dënua për ndihmë në kryerjen e këtij krimi mizor. Gjyqtarja Fatime Dërmaku u shpreh: “Të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava u shqipton dënim me burgim të përjetshëm, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të akuzuarit Kushtrim Kokalla i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vite, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Reporteri i A2CNN Ideal Gola raporton: “Të akuzuarit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, nuk ishin prezentë në seancën e së martës, ku u dha vendimi në shkallë të parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë”.

Ndryshe nga të akuzuarit, të pranishëm në seancë ishin familjarët e Liridona Ademajt, i ati dhe vëllai, të cilët mes emocionesh thanë se janë vërtetuar pretendimet e tyre.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt shprehet:  “Ajo se çfarë u vërtetua sot është ajo që kemi thënë që nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin duke e zgjedhur granitin si vrasës e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon dhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht”.

Liridona Ademaj mbeti viktimë e një plani të orkestruar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ngjarje e cila ndodhi ndërsa ata udhëtonin me makinë së bashku me fëmijët e tyre në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Sipas prokurorisë, motivi kryesor i këtij krimi ishte përfitimi i një shume të madhe parash nga sigurimi i jetës së viktimës në Suedi në vlerë rreth 260 mijë euro.

Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe neve edhe familjes, e po besoj që ishte vendim të cilin e kemi pritur të gjithë populli shqiptar, jo vetëm ne familja”, tha Leonard Ademaj.

Për të realizuar planin, Murseli përdori Kushtrim Kokallën si ndërmjetës për të gjetur ekzekutorin, Granit Plavën, i cili kreu vrasjen nga një distancë e afërt.

Për këtë arsye, avokati i familjes Ademaj paralajmëroi se mund të apelojnë dënimin ndaj Kushtrim Kokallës. Leutrim Syla, avokat i familjes Ademaj u shpreh:  “Të gjitha pretendimet tona ashtu siç i kemi paraqitur deri tash edhe në shqyrtime gjyqësore, do t'i paraqesim me parashtresa të veçanta, dhe konsideroj që ky dënim duhet të ndryshohet, por që i takon gjykatës të vendosë”.

Gjatë të njëjtit proces gjyqësor është trajtuar edhe çështja e armës së zjarrit, e cila ishte blerë ditën e krimit nga Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë për tregti të paligjshme të armëve, mori fillimisht një dënim me pesë vite heqje lirie dhe gjobë. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më vonë t'ia lehtësojë masën ndëshkuese, duke e ulur atë në tre vite burgim.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos