Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzuan kryeministrin Albin Kurti se nuk ishte serioz për zgjedhjen e presidentit të ri.
Dy nga partitë opozitare, PDK e LDK, pranuan oferta edhe për bashkëqeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje por i refuzuan ato.
Të dy ato deklaruan se nuk do japin kontribut të mëtejmë në procesin e zgjedhjes së presidentit ndonëse kanë mbetur edhe një javë.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza tha: “Është diskutuar gjerë e gjatë kjo temë, është konstatuar që nuk ka pas seriozitet nga partia fituese dhe nga zoti Kurti që vendit t'i japim president, nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e Partisë Demokratike të Kosovës”
Nga LDK thanë se Kurti deshi “me një nuse ti marri dy dhëndurë” duke iu referuar ofertës së njëjtë për kryeparlamentar të cilën ia prezantoi edhe atyre edhe PDK-së në të njëjtën ditë.
Lutfi Haziri i LDK u shpreh: “Ne jemi të vetëdijshëm që ajo që thotë populli ynë, se me një nuse dy dhëndurë s'i merr. Zoti Kurti po mundohet që në këto biseda me partitë politike me një nuse me i zënë dy dhëndurë, që nuk funksionon. […] Në aspektin politik kjo nënkupton që kryetari i Kuvendit i është ofruar edhe PDK-së edhe LDK-së. Qeverisja i është ofruar edhe LDK-së edhe ndoshta të tjerëve. Dhe më shumë është menaxhim i kohës dhe menaxhim i procesit sesa qasje për me i dhënë zgjidhje vendit”
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se ofertat e Kurtit janë vetëm për konsum pasi synimi i Kurtit janë zgjedhjet.
Ramush Haradinaj i AAK-së tha: “Këto janë kalkulime, kamuflazh, mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë për asnjë parti opozitare, më besoni, as për PDK-në, as për LDK-në. Këto nuk janë oferta, këto janë lojë fjalësh me harxhu kohën deri në ditën kur shpallen zgjedhjet”
Parlamenti do të shpërndahet më 28 prill nëse deri në mesnatë nuk do të zgjidhet presidenti i ri. (A2 Televizion)