Dita e Forcave të Armatosura, Osmani dhe Kurti bëhen bashkë dhe “shkojnë në ushtri”

Nga Xhevahir Qardaku
27 Nëntor 2023, 23:29 | Kosova

Në ditën e Forcave të Armatosura, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vizituan kazermën “Adem Jashari”. Të dy udhëheqësit u pajtuan mbi faktin që ushtria e Kosovës është garanci për sigurinë e rajonit dhe vlerësuan formimin e kadetëve sipas standardeve të NATO-s.

“Jam e bindur, secili ushtar e ushtare e mban me krenari uniformën, prandaj edhe është i gatshëm të japë edhe jetën për atdheun nëse është nevoja. Sot, FSK është forcë e trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s, forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqen në rajon, por edhe përtej. Duke shërbyer krah forcave amerikane, britanike e ushtrive të tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës, kështu duke dëshmuar se FSK është e gatshme t’i bashkohet NATO-s”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh: “Është një ditë e gëzimit dhe përkujtojmë ata që sakrifikuan, por edhe në të njëjtën kohë me optimizëm ecim drejt të ardhmes, kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë. Ne e kemi të qartë se FSK është trashëgimtare e UÇK-së. Nesër e kemi 28 Nëntorin që e shënojmë në kujtim të trinisë: të flamurit kuq e zi të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e të Adem Jasharit në Prekaz. Me krenarinë e lavdishme për të kaluarën tonë e me përplot optimizëm, shpresë e përgjegjësi ecim drejt së ardhmes”.

Osmani, e cila gjithashtu ka rolin e Komandates Supreme të FSK-së, u zotua se do të krijohen kushte më të mira për ushtarët e vendit, në mënyrë që të rritet vullneti i tyre për punë.

Ndërkohë, me rastin e kësaj dite, dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës u hapën për qytetarët e vendit. Fëmijët ishin ndër më të lumturit që panë nga afër ushtarët e Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos