
Kosova ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviç, pasi tha disa ditë më parë se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998. Kështu ka bërë me dije të martën ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sveçla njoftoi se ka nënshkruar vendimin për t’ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë apo kalimin nëpër të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.
Ai tha se me deklaratat e saj, Paunoviç ka “ritheksuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve”. “Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Sllobodan Millosheviç, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit”, shkroi Sveçla.
Ai shtoi se “çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.
Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – duke nxitur reagime dhe dënime në Kosovë dhe më gjerë. (A2 Televizion)