Operacioni i fshehtë në Karaibe. A po përgatitet Amerika për një luftë me Venezuelën?

Nga Rosalba Bejdo
12 Nëntor 2025, 23:41 | Bota

Ushtria e Shteteve të Bashkuara po përmirëson një bazë detare të Luftës së Ftohtë të braktisur prej kohësh në Karaibe, sipas një hetimi vizual të Reuters, duke sugjeruar përgatitje për operacione të qëndrueshme që mund të mbështesin veprime të mundshme brenda Venezuelës.

Ryan C. Berg, drejtor i Programit për Amerikën, CSIS, shprehet: “Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një përforcim të madh ushtarak në Karaibet jugore. Rreth 10 për qind e aseteve të Marinës Amerikane ndodhen aktualisht në zonën e komandës SOUTHCOM. Kjo është diçka që rajoni nuk është mësuar ta shohë. Normalisht, SHBA ka një prani shumë më të reduktuar ushtarake në këtë pjesë të botës”.

Foto të realizuara nga agjencia e lajmeve Reuters më 17 shtator, treguan një rinisje të aktivitetit të ndërtimit në ish-bazën detare Roosevelt Roads në Porto Riko, e mbyllur nga Marina Amerikane më shumë se 20 vjet më parë, teksa ekipe ishin të angazhuara në pastrimin dhe shtrimin e rrugëve ndihmëse që çojnë drejt pistës, shkruan A2.

Deri kur Marina u tërhoq nga objekti në vitin 2004, Roosevelt Roads ishte një nga stacionet më të mëdha detare amerikane në botë. Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Reuters, Bazaka një pozicion strategjik dhe ofron hapësirë të madhe për grumbullimin e pajisjeve. Përveç përmirësimeve të kapaciteteve të uljes dhe ngritjes në Roosevelt Roads, SHBA-ja po ndërton objekte të reja edhe në aeroporte civile në Porto Riko dhe në ishullin Shën Kroj në Virgin Island të Amerikës.

Të dy territoret amerikane ndodhen rreth 800 km larg Venezuelës. Ryan C. Berg tha: “Mendoj se kjo po ndodh tani për një numër arsyesh. Së pari, administrata Trump është shumë e prirur të tregojë se po zbaton një paradigmë të re kur bëhet fjalë për trajtimin e luftës kundër narkotikëve. Roja Bregdetare e SHBA-së nuk është më operatori kryesor në këto misione, por Marina e SHBA-së dhe Forcat Ajrore të SHBA-së janë përfshirë për të mbështetur dhe në shumë mënyra për të marrë përsipër këto misione. Dhe mendoj se paradigma e re është aty sepse administrata është e interesuar të tregojë se veprimtaritë e karteleve në Amerikën Latine si organizata terroriste të huaja kanë pasoja, në këtë rast, pasoja vdekjeprurëse. Kjo nuk është vetëm retorikë, por është tregues i një modeli të ri operativ që sheh Marinën e SHBA-së dhe Forcat Ajrore të SHBA-së në krye dhe jo më Rojën Bregdetare të SHBA-së. Së dyti, mendoj se administrata e kupton që vetë Maduro dhe regjimi i tij janë të implikuar në këto lloj aktivitetesh”. 

Reuters foli me tre zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe tre ekspertë detarë, të cilët thanë se ndërtimet e reja në Porto Riko dhe Ishujt e Virgjër tregonin për përgatitje që mund t’i mundësojnë ushtrisë amerikane të kryejë operacione brenda Venezuelës. Përforcimi ushtarak në rajon është më i madhi që nuk lidhet me ndihmën për fatkeqësi që nga viti 1994, kur SHBA dërgoi dy aeroplanmbajtëse dhe më shumë se 20 000 trupa në Haiti për të marrë pjesë në “Operacionin Mbështet Demokracinë”. Që nga fillimi i shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer të paktën 14 sulme ndaj mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe dhe në Paqësor, duke vrarë mbi 60 persona. Këto sulme ndaj mjeteve të dyshuara të drogës kanë shtuar tensionet me Venezuelën dhe Kolumbinë dhe kanë tërhequr vëmendjen ndaj një pjese të botës që vitet e fundit ka marrë burime të kufizuara nga ushtria amerikane. 

Ryan C. Berg theksoi: “Regjimi i Maduros ka reaguar duke mobilizuar milicitë civile. Ne kemi dyshime serioze nëse këto milici do të luftonin në rast pushtimi. Por, ata kanë publikuar video me stërvitje, me sisteme mbrojtjeje ajrore dhe kanë kërkuar që vendet e rajonit të dënojnë më ashpër dislokimin e forcave amerikane. Veçanërisht, rajoni ka qenë mjaft i heshtur në kritikat e tij ndaj SHBA-së. Në fakt, shumë vende kanë mbështetur vendosjen në Karaibet Jugore. Një numër vendesh gjithashtu i kanë shpallur kartelet venezueliane si organizata terroriste të huaja, gjë që është perceptuar nga Uashingtoni sikur rajoni është në të vërtetë në favor të fushatës së presionit kundër Maduros, në vend që t'i japë atij ndonjë lloj besueshmërie diplomatike”.

I pyetur për koment lidhur me zgjerimin ushtarak në rajon, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës elektorale se do të përballej me kartelet e drogës në rajon: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë që në fillim se lufta kundër karteleve të drogës do të jetë një prioritet i administratës së tij.” 

Përforcimi ushtarak amerikan në Karaibe filloi në gusht, me mbërritjen e anijeve luftarake, një nëndetëse me energji bërthamore, avionëve luftarakë dhe aeroplanëve zbulues. Grupi luftarak i aeroplanmbajtëses Ford, me rreth 10 000 trupa dhe dhjetëra avionë e sisteme armësh, ka hyrë në ujërat amerikano latine nga Deti Adriatik. Një analist ushtarak thotë për Reuters se një nga shkatërruesit e aeroplanmbajtëses ‘Ford’ kaloi Gjibraltarin më 29 tetor, sipas imazheve satelitore dhe të dhënave të gjurmimit të anijeve. Sipas raportimit të Reuters dhe zyrtarëve amerikanë, administrata Trump që nga gushti ka vendosur të paktën 13 anije luftarake, 5 anije mbështetëse dhe një nëndetëse bërthamore në rajon, nga baza të ndryshme detare dhe dislokime globale, përfshirë aeroplanmbajtësen Gerald Ford, anijen më të madhe të këtij lloji. Aktualisht, tetë anije luftarake mbeten në rajon, së bashku me anijet mbështetëse.

E ndërsa të gjithë bien dakord se prania amerikane në rajon nuk është e përkohshme, ekspertët nuk mendojnë se Trump do të shkojë drejt një pushtimi të plotë: “Nuk mendoj se në këtë rast do të ketë një pushtim të plotë në shkallë të gjerë. Mendoj se është e pamundur të ndodhë për dy arsye. Së pari, kjo nuk përputhet me mënyrën e veprimit të Presidentit Trump. Presidenti Trump është distancuar nga angazhimet afatgjata dhe të hapura me trupa në terren, që nga fushata e tij e vitit 2016. Dhe nuk mendoj se kjo përputhet me mënyrën e tij të veprimit as sot. Duhet theksuar gjithashtu se kjo nuk përputhet me modelin e dislokimit aktual. Megjithëse dislokimi ka qenë shumë i madh, ai nuk ka përfshirë numër të konsiderueshëm forcash tokësore. Aktualisht, në rajon kemi rreth 10 000 trupa, të paktën ato të identifikuara publikisht, 10 000 trupa. Kjo nuk është aspak e mjaftueshme për t’u përfshirë në ndonjë lloj pushtimi të territorit venezuelas”.

Pyetja që ngrihet është: ku do të çojë operacioni i madh ushtarak amerikan në Karaibe? Ekspertët prashikojnë disa skenarë; nga largimi i Maduros në kalimin e fatit të Venezuelës në duart e ushtrisë.

Ryan C. Berg deklaron: “Shoh tre ose katër skenarë të mundshëm. Njëri është që Maduro të vendosë të largohet vetë, pasi presioni është shumë i madh. Ai u mund vitin e kaluar në zgjedhje, por qëndroi në pushtet edhe pse rezultatet ishin të qarta: populli venezuelas votoi kundër tij me dy me një. Një tjetër skenar është që SHBA të fillojë të godasë objektiva tokësore në Venezuelë. Në atë rast, ushtria venezuelase mund të vendosë se e ardhmja e saj nuk është me Maduron, por me një tranzicion demokratik. Ata mund t’ia dorëzojnë Maduron drejtësisë, ta rrëzojnë, apo të përpiqen të marrin vetë pushtetin. Një skenar i tretë është që SHBA të vazhdojë vetëm me operacionet detare dhe Maduro të qëndrojë në pushtet, duke forcuar më tej sundimin e tij dhe të chavizmit.”  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos