Pensionistët në Kosovë do të marrin 100 euro shtesë nga qeveria. Të njëjtën shumë përfitojnë edhe fëmijët e grupmoshave nga 0 në 16. Vendimi i qeverisë së Kosovës u konfirmua nga kryeministri i vendit Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati në një konferencë për media. Kryeministri, Kurti tha se kjo nuk është vetëm dhuratë për fund vit nga shteti, por investim në mirëqenien e fëmijëve pa dallim dhe mbështetje edhe për pensionistët që kontribuan dhe ndërtuan në shtetin tonë.
"Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim... Por, përveç investimit në fëmijët që janë edhe e tashmja e sidomos e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi që t’i mbështesim edhe ata që kontribuan dhe ndërtuan shtetin e na sollën deri këtu. Prandaj, sikurse tashmë e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa edhe kanë filluar ta quajnë pensionin e 13-të për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen”, tha Kurti.
Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati shtoi se nuk ka nevojë për ndonjë aplikim shtesë pasi sipas tij i kanë listat e përfituesve në data bazat e tyre, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Murati tha se do të mundohen që gjatë kësaj jave të bëjnë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë.
“Edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë, sikurse viteve të kaluara, meqenëse performanca buxhetore ka qenë e mirë dhe kemi krijuar hapësirën e nevojshme fiskale. Nuk ka nevojë për ndonjë aplikim, meqenëse ne veçse i kemi listat e përfituesve në data bazat tona çoftë për pension marrësit apo edhe për fëmijët që pranojnë shtesa, prandaj nuk do të ketë nevojë për aplikim. Por, do të mundohemi që gjatë kësaj jave që të bëjmë të gjitha përgatitjet teknike, në mënyrë që të ekzekutohen pagesat këtë javë”, u shpreh Hekuran Murati, Ministri i Financave të Kosovës .
Kjo paketë mbështetje, shënon herën e pestë brenda mandatit të Qeverisë Kurti për pensionistët. (A2 Televizion)