Ankesat për Mitrovicën dhe Gjakovën, KQZ krijon komision për vlerësimin e fletëvotimeve

Nga Ideal Gola
13 Nëntor 2025, 00:03 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve krijoi një komision për të verifikuar fletëvotimet dhe numrin e tyre në vendvotime për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës.

Në të dy këto komuna ka pasur ankesa për fletëvotime me numra të ndryshëm serikë, gjë që sipas KQZ ka ndodhur për shkak të gabimeve në shtypjen e tyre.

Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se gjatë ditës kanë pranuar edhe një raport nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet. Tashmë, pretendohet se gabime të njëjta ka pasur edhe në komunat e tjera që kanë qenë në balotazh, shkruan A2.

“Në atë raport i saktësojnë gabimet në të gjitha dengjet që janë të fletëvotimeve të printuara ku rezulton se në këto dengje janë diku votat e fundit, apo dy votat e fundit që kanë pasur numrat e vendvotimeve të ndryshme apo edhe të ndonjë qendre tjetër apo disa tyre të zbarëzta. […] Ata kanë dhënë edhe numrin e saktë që kanë ndodhur gabimet por që megjithatë ne na nevojitet të vlersojmë dhe të verifikojmë nga kutitë e votimeve”, tha Radoniqi.

Puna e këtij komisioni do të jetë në funksion të përgjigjes për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesës së PDK-së parashtruar në këtë institucion lidhur me zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të Komunës në Mitrovicën e Jugut.

Në mbledhjen e së mërkurës, pati përplasje edhe mes anëtarëve të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ nga LVV, tha: “E kemi konfirmimin që kemi të bëjmë me fletëvotime të shtypura gabim në të gjitha komunat ku ka pasur balotazh dhe trendi mund të jetë shumë më i madh se sa në Mitrovicë siç ishte në Gjakovë që është më i madh se ai i Mitrovicës, që është diku rreth 174 për fletëvotime të shtypura kundrejt asaj të Mitrovicës që është diku rreth 116 të mos gaboj”.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ nga PDK, u shpreh: “Është një fakt që për qytetarët e Kosovës ky proces është i lënduar dhe integriteti i këtij procesi atje është pothuajse i rrënuar për rrjedhojë ka vetëm një rrugë për të rikthyer atë integritet dhe ajo është rivotimi në qytetin e Mitrovicës”.

Gjatë së mërkurës, në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës. Një ditë më parë ka përfunduar ky proces edhe për 17 komunat e tjera në balotazh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos