Tarifat e SHBA dëmtojnë Kosovën, ekspertët: Bizneset do të vuajnë, do ulen eksportet

Nga Rosalba Bejdo
3 Prill 2025, 20:19 | Ekonomi

Vendosja e një tarife bazë prej 10 përqind ndaj importeve do të ketë impakt negativ edhe për Kosovën. Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike në vend. Sipas tyre, entitetet që merren me eksportin e mallrave në Kosovë do të përballen me disa vështirësi, e marzhi i fitimit për bizneset do të ngushtohet. 

Gjatë vitit 2024, sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vendi eksportuar produkte me vlerë mbi 39 milionë euro në SHBA, ndërsa në tre muajt e parë 2025 vlera e eksportit është gati 6 milionë.

“Për ne si Kosovë efektet do të jenë minimale, nuk do të ketë ndonjë efekt të madh, pa marrë parasysh se ato entitetet që merren me eksportin, me Amerikën do të vuajnë pakës për shkak se nëse deri dje kanë pasur tarifa me TVSh ose pa të, tash e kanë 10 për qind, iu ngushton margjinat bizneseve që eksportojnë në Amerikë. Por, gjasat që rikompensimi mund të bëhet me rritje të eksporteve me vende jo detyrimisht të lidhura me Amerikën. Krejt bota do të eksportojë shumë më pak në Amerikë, për shkak se ka me pas ndërmarrës që e ndryshojnë, thonë në Amerikë është shtrenjtë të dërgosh mallra, duhet gjetur një treg tjetër”.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj thotë për Kosova Press se ky vendim mund të sjellë një reduktim të eksporteve nga Shqipëria dhe Kosova drejt SHBA-së, e në këtë mënyrë 2 vendet humbasin konkurrueshmërinë në treg.

“Tarifat mund të ulin eksportet nga Shqipëria e Kosova drejt SHBA-së. Kjo mund të sjellë një zvogëlim të eksporteve nga Shqipëria dhe Kosova drejt SHBA-së, në këtë mënyrë Shqipëria dhe Kosova humbet konkurrencën në treg, pasi do të favorizohet një produkt tjetër, ose mund të ndodhë që produktet që importohen nga Kosova dhe Shqipëria të mund të realizohen në SHBA-të, dhe kjo sërish do ta ulte fuqinë vepruese të dyja këtyre shteteve tona kundrejt tregut amerikan”, tha Nunaj.

Lidhur me këtë vendim reagime pati edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë. Në njoftim dhoma e tregtisë shprehet e shqetësuar dhe thotë se ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka shënuar rënie përgjatë muajve të fundit. Gjithashtu, I behet thirrje qeverisë që të mbështesë bizneset që preken nga masat.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos