Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 bruto në muaj. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor. Sipas kryeministrit Albin Kurti, nga ky vendim do të preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat.
Kreu qeveritar tha se paga minimale prej 264 euro, e rritur para dy viteve por hyrë në fuqi ditë më parë është i vjetërsuar dhe pamjaftueshëm, andaj vlera e pagës minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj.
“Procedimi i atëhershëm për pagën minimale ishte 264 euro bruto në muaj që përbënte një rritje substanciale prej 103 për qind për moshat 35 vjeç, krahasuar me pagën minimale paraprake. Por që nga ai propozim, ligji u bllokua në kuvend nga opozita dhe pastaj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore edhe niveli prej 264 euro sot duket i vjetruar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër që reflekton zhvillimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri. Niveli i ri pagës minimale do të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Kjo pagë minimale e re do të prek mbi 150 mijë të punësuar që punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Me miratimin e projektligjit Kurti tha se po përmbushin zotimet qeveritare. “Projektligji për sigurime shëndetësorë do të kontribuojë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit e së këndejmi edhe mirëqenien e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë për të ulur pabarazinë e shkaktuara nga shpenzimet shëndetësore”, tha Kurti. (A2 Televizion)