
Një person është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur në Gjakovë më 16 mars, teksa autoritetet thanë janë në kërkim të dorasit të dyshuar.
Policia në Gjakovë tha se në orën 05:30 të 16 marsit mori informacion se dy persona të moshës madhore ishin qëlluar me armë zjarri.
Një nga ta, sipas zëdhënësit të Policisë, Sheremet Elezaj, vdiq në vendin e ngjarjes nga plagët e marra, përcjell A2.
Prokuroria Themelore në Gjakovë konfirmoi se i dyshuari është identifikuar dhe autoritetet po ndërmarrin veprime për ta arrestuar atë.
“Atë që mund ta ndajmë tash është se në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të armës së zjarrit, po ashtu është gjetur edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë me publikun aktualisht”, tha zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj gjatë një konference për media.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje për motivin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Prokuroria e Shtetit ka iniciuar rast për veprën penale vrasje e rëndë.
Viteve të fundit janë regjistruar një sërë rastesh të dhunës me armë zjarri në Kosovë, që kanë çuar edhe në vrasje. Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura./ REL (A2 Televizion)