
Ish-shefi i Shërbimit të Inteligjencës Serbe, Aleksandar Vulin, ka bërë një deklaratë kërcënuese kundrejt Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke bërë analogji me eliminimin e Ajatollahut Ali Khamenei nga Izraeli.
“Do t’u kërkoja shërbimeve tona të hartonin një plan të qartë. Si do t’i trajtojmë individët, me emër dhe mbiemër, të cilët janë bartës të politikës anti-serbe? Pastaj, ta mendojnë ata se çfarë mund t’u ndodhë”, tha Vulin në një intervistë në një televizion serb.
“Nëse Izraeli mundet, Mossadi, pse nuk mundemi ne? E kemi bërë këtë edhe më parë. Ne e dimë sesi bëhen këto punë. Neve askush nuk na e ka frikën. Kurti nuk e ka problem që të aktrojë ndonjë marrëveshje dhe nuk e ka frikën që do të ketë pasoja për këtë. Nuk ka frikë që mund t’i ndodhë ndonjë gjë atij. Ashtu edhe njerëzve të tij”.
Pas deklaratë së Vulin, person i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. “Është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese. Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan”, tha Sveçla.
“Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës. Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe “di ta bëjë këtë”, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit të vendeve të tjera”.
Sveçla shtoi se rasti i dy shtetasve bjellorusë dhe një shtetasi rus, të cilët pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar, shkon për shtat me retorikën e Vulin. “Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vuçiç. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiç, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, tha ai.
Vulin ka mbajtur postin e zv.kryeministrit të Serbisë në periudhën 2024-2025, ndërsa ka shërbyer si shef i inteligjencës serbe, BIA, nga dhjetori 2022 deri në nëntor 2023. (A2 Televizion)