Asnjë vrasje, rënie e ndjeshme e incidenteve etnike dhe sekuestrim i vazhdueshëm i armëve. Ky është raporti i policisë për katër komunat veriore për vitin 2025. Qetësia në veri i atribuohet bashkëpunimit me qytetarët dhe faktit që persona si të dyshuar për aktivitete kriminale nuk gjenden më në Kosovë.
Përtej zhurmës politike dhe zhvillimeve në Prishtinë, veriu prej një viti po jeton në qetësi. Sipas raportit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, gjatë gjithë vitit 2025 në rajonin e veriut nuk është regjistruar asnjë rast vrasjeje. Numri i përgjithshëm i veprave penale ka rënë për rreth 12% krahasuar me vitin paraprak.
Rënie e theksuar është shënuar te incidentet etnike. Rastet e “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit” kanë rënë me mbi 71 për qind.
Krahasim me vitin 2024, ulje është regjistruar edhe te sulmet, kanosjet dhe vjedhjet e rënda.
Po ashtu, më pak raste ka pasur për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtim të pasurisë dhe zjarrvënie.
Erduan Baliqi, shef i njësisë së planifikimit dhe vlerësimit operacional, shprehet për A2: “Situata aktuale është e qetë por gjithmonë themi delikate për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në veri të vendit kështu që për momentin situata është e qetë”.
Në luftën kundër armëmbajtjeve pa leje, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 87 armë zjarri, 4 mijë e 200 fishekë, 21 granata dore dhe 11 raketahedhës.
Edhe viti 2026 ka nisur me operacione policore që kanë rezultuar me konfisikim të armëve. Kjo i atribuohet bashkëpunimit me qytetarët, pasi shpesh armët janë gjetur në objekte të braktisuara.
“Bashkëpunimi është në nivel tanimë, kemi një bashkëpunim me qytetarë kështu që vazhdimisht pranojmë informacione, por është bërë si dukuri që këto armë ose armatim mjete të dyshimta i gjejmë nëpër shtëpi të braktisura, nëpër bodrume apo nëpër vende të groposuara, zakonisht braktisën këto armë nga qytetarët”, thotë Baliqi.
Arben Dashevci, ekspert i sigurisë, deklaroi: “Po gjenden armë aty ku nuk ta merr mendja, pra edhe në proçka, fitila të ekspolzivë, pastaj edhe ekspolozivë 140 kilogramë, pastaj edhe armë në stalla të ndryshme, nëpër bordume kush po e bën këtë, këtë po e bën bashkëpunimi polici-qytetar sepse Policia e Kosovës ka arritur të marr atë besueshmërinë matanë lumit Ibër”.
Ekspertët e sigurisë e lidhin këtë situatë edhe me faktin që disa persona të dyshuar për aktivitete kriminale në veri nuk ndodhen më në Kosovë: “Si mund të ketë problem kur nuk janë ata që nuk e destabilizuar Kosovën këtu por derisa janë të lirë ata në rrethin e tyre vicioz në Serbi normalisht që paraqet rrezik në aspektin e sigurisë, siguri 100% nuk ka askund, por për ata ne e kemi Policinë e Kosovës si organin më kredbil në Republikën e Kosovës”.
Raporti për vitin 2025 evidenton gjithashtu nivel të lartë të zbulimit të rasteve nga Policia. (A2 Televizion)