12 230 viktima të luftës në Kosovë, Kurti: Serbisë t’i bëhet presion që të hapë arkivat

Nga Rosalba Bejdo
29 Korrik 2026, 15:52 | Kronikë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 - 20 qershor 1999.

Këtë e tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, teksa u bëri thirrje ndërkombëtarëve që t’i bëjnë trysni Serbisë për të hapur arkivat e ushtrisë. Ai kritikoi Serbinë për, siç tha, moszbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, dhe refuzimin për hapjen e arkivave ushtarake.

“Përderisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të zhdukurit me dhunë, të dakorduar më 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë drejtësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë luftës së fundit”, tha Kurti.

Kurti tha gjithashtu se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka dokumentuar se gjatë luftës janë vrarë 1.047 fëmijë të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 94 prej tyre kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës.

Sa u përket mbetjeve mortore të zbuluara rishtazi në fshatin Kalludër, në Zubin Potok, Kurti tha se dyshohet se ato mund t’u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos