Apeli në Kosovë ul dënimin për shitësin e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj

Nga A2 CNN
14 Janar 2026, 16:11 | Kronikë

Apeli në Kosovë ul dënimin për shitësin e armës me

Gjykata e Apelit të Kosovës ia ka ulur dënimin Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.

Dodaj, që kishte pranuar fajësinë për veprën e shitjes së paautorizuar të armëve, u dënua në shkurt të vitit 2025 me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Apeli e uli dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Sipas vendimit, Apeli e vlerësoi si “dënim të ashpër” dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë. Si faktor për uljen e dënimit, Gjykata përmendi pranimin e fajësisë nga Dodaj, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.

“Po ashtu, kjo gjykatë gjeti se është hera e parë që i akuzuari bie ndesh me ligjin. Prandaj, rrethanat e tilla në unitetin tyre tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, të caktuar tani si në dispozitiv mund të arrihet qëllimi ndëshkimor i paraparë me dispozitën e nenit 38 të Kodi i Procedurës Penale”, tha Gjykata e Apelit.

Gjatë seancës kur iu shqiptua dënimi, avokati i Dodajt, Agron Kuçi, kishte deklaruar se klienti i tij nuk i kishte njohur paraprakisht të pandehurit, por e kishte kuptuar se armën që e kishte shitur, ishte përdorur për vrasje, vetëm pas publikimit në media të rastit të vrasjes së Liridonës.

Për vrasjen e Liridona Ademajt po akuzohen tre persona, bashkëshorti i 30-vjeçares, Naim Murseli, Granit Pllana dhe Kushtrim Kokalla.

Murseli dhe Kokalla janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës gjyqësore, ndërkaq Plava s’ka pranuar të deklarohet për fajësinë.

Si ndodhi vrasja?

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava.

Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.

Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra - shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve - gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos