
Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka reaguar vëllai i saj, Leonard Ademaj.
Ai u shpreh se drejtësia më në fund është vënë në vend për motrën e tij dhe fëmijët e saj.
“Sot u vërtetua ajo që kemi thënë që në fillim, se Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokalla, duke zgjedhur Granit Plava si vrasës, kanë realizuar këtë krim,” deklaroi Leonard Ademaj, shkruan A2.
Ademaj theksoi se vendimi ka një peshë të madhe emocionale jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë. Ai shtoi se aktgjykimi duhet të shërbejë si mesazh i fortë për këdo që mendon të kryejë krime të tilla. “Ky vendim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që tentojnë apo krijojnë kushte për një krim të tillë”.
Sipas tij, vendimi ka sjellë një lehtësim të pjesshëm për familjen: “Na ka lehtësuar sadopak dhimbjen. Është një vendim që e ka pritur i gjithë populli shqiptar”.
(A2 Televizion)
