Degradimi i mjedisit përreth lumit Drini i Bardhë, arrestohen 17 persona në Kosovë

Nga A2 CNN
4 Qershor 2025, 16:56 | Kronikë

Degradimi i mjedisit përreth lumit Drini i Bardhë, arrestohen 17

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën 17 persona nën dyshimet se kanë ndotur, degraduar dhe shkatërruar mjedisin përreth lumit Drini i Bardhë në Prizren.

Sipas një komunikate të lëshuar për media, Prokuroria dyshon se të pandehurit kanë shkelur Ligjin për Minierat dhe Mineralet, dhe se kanë shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore duke eksploatuar dhe përpunuar rërë dhe zhavorr.

Prokuroria ka thënë se të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale të ndotjes, degradimit dhe shkatërrimit të mjedisit si dhe atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, për shkak të mënyrës si e kanë lënë ambientin pas punimeve.

Përveç të arrestuarve, Prokuroria ka thënë se në aksionin e zhvilluar në 14 lokacione në rajonin e Prizrenit janë sekuestruar edhe 38 mjete që janë përdorur për kryerje të veprës penale, përfshirë nëntë kamionë, 14 eskavatorë dhe 15 makineri seperimi.

Sipas autoriteteve, vlera totale e pajisjeve të sekuestruara shkon në rreth 2 milionë euro.

Të 17 personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të ujit, por edhe ato, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), janë keqshfrytëzuar dhe ndotur.

Sipas një raporti të publikuar më 2022 nga kjo agjenci, është konstatuar se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.

Sipas tij, më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, prej 112 kilometrash./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos