“Do të demaskonte blofin e Putinit”, Kurti i bën thirrje Zelensky-t të njohë Kosovën

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2026, 23:00 | Aktualitet

“Do të demaskonte blofin e Putinit”, Kurti i bën thirrje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Në një opinion të publikuar në gazetën “Kyiv Post”, Kurti argumenton se një vendim i tillë do të rrëzonte pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili përdor rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Sipas Kurtit, pavarësia e Kosovës dhe aneksimi i Krimesë janë dy raste krejtësisht të ndryshme dhe nuk mund të trajtohen si të barasvlershme. Ai thekson se njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të krijonte një precedent automatik për çështjet e tjera territoriale.

“Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik për çdo kontest tjetër territorial. Secili rast duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, çka është thelbësore, veprimeve konkrete të shteteve të përfshira”, shkruan Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë së Kosovës argumenton se njohja nga Kievi do të rrëzonte narrativën e Kremlinit se Perëndimi nuk respekton të drejtën ndërkombëtare.

“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, vijon Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos