Komiteti i Përbashkët për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit britanik i ka bërë thirrje qeverisë të miratojë një ligj të posaçëm për Inteligjencën Artificiale (IA), si dhe të krijojë një rregullator të pavarur për mbikëqyrjen e kësaj teknologjie.
Në një raport mbi të drejtat e njeriut dhe rregullimin e Inteligjencës Artificiale, komiteti paralajmëron se kuadri aktual ligjor nuk është i mjaftueshëm për të përballuar rreziqet që vijnë nga zhvillimi i shpejtë i kësaj teknologjie.
Propozimi parashikon hartimin e një projektligji të ri, i cili do të bazohet në nivelin e rrezikut që paraqet secili sistem i Inteligjencës Artificiale. Sipas kësaj qasjeje, sistemet që mund të kenë ndikim më të madh te individët dhe shoqëria do t'u nënshtrohen kontrolleve dhe detyrimeve më të rrepta.
Një tjetër kërkesë e komitetit lidhet me transparencën. Sistemet e Inteligjencës Artificiale që ndikojnë ndjeshëm në jetën e individëve, grupeve dhe komuniteteve duhet të bëjnë të qartë kur përdoret kjo teknologji, si dhe të shpjegojnë mënyrën se si funksionon. (A2 Televizion)