Gjykata Speciale dënon anëtarin e UÇK, Pjetër Shala burgoset 18 vite për krime lufte

Nga Rosalba Bejdo
16 Korrik 2024, 16:37 | Kronikë

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, u dënuar me 18 vite burg për krime lufte, nga gjykata speciale.

Dhomat e specializuara më bazë në Hagë e shpallën fajtor Shalën për ndalim arbitrar, torturë kundër të paktën 18 personave dhe vrasje të paligjshme të një personi në qershor të 1999 në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Sipas vendimit të trupit gjykues, në dënimin prej 18 vite burgim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, tha se fabrika e dikurshme e metalit në Kukës është përdorur prej UÇK-së – në periudhën maj 1998 deri në qershor 1999 - për rekrutim dhe logjistikë, mes të tjerash.

“Kemi marrë dëshmi të besueshme se ky objekt është përdorur për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtim të njerëzve që dyshohej se bashkëpunonin apo simpatizonin autoritetet serbe, apo nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së”.

Pjetër Shala kërkoi të fliste, por nuk i është ndezur mikrofoni pasi gjykatësja tha se seanca nuk ishte për deklarim të të akuzuarit. Me shtetësi belge dhe i njohur me nofkën “Ujku”, ai është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar një dënim prej 28 vitesh burg. Ky është aktgjykimi i dytë i kësaj Gjykate lidhur me hetimet për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua në dhjetor të vitit 2022 me 26 vjet burgim për krime lufte, që më vonë u reduktuan në 22 vite nga apeli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos