“Horrori” në Lipjan, 5-vjeçari në gjendje të rëndë pas dhunës së prindërve

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 19:31 | Kronikë

Rasti i rëndë i dhunës dhe kequshqyerjes së një 5-vjeçari në Lipjan ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në lëvizje të gjitha institucionet përgjegjëse për hetimin dhe trajtimin e çështjes.

Fëmija u dërgua fillimisht në urgjencën e Lipjanit nga e halla, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u transferua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku po trajtohet në Kujdesin Intensiv Pediatrik, shkruan A2.

Institucionet shëndetësore alarmuan policinë, ndërsa prindërit e fëmijës, me inicialet A.K. dhe V.P., janë arrestuar. Me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ata ndodhen në paraburgim prej një muaji, nën dyshimet për “Shkelje të detyrimeve familjare” dhe “Lëndim të rëndë trupor”.

Sipas dëshmive të fqinjëve në Janjevë, dhuna ndaj fëmijëve në këtë familje ka qenë e vazhdueshme: “I ka rrahur, gjithmonë i ka rrahur, deri në 12 të natës kanë bërtitur. I kam dëgjuar, më ka ardhur gjynah se fëmijët nuk kanë faj kur janë këta të sëmurë. Asnjëri s'janë mirë".

Rasti ngre pikëpyetje serioze edhe për veprimet institucionale ndër vite. Rreth katër vjet më parë, fëmijët ishin larguar përkohësisht nga familja për shkak të kushteve të rënda të jetesës dhe neglizhencës, të lidhura me problemet e shëndetit mendor të nënës. Megjithatë, më pas ata ishin rikthyer te prindërit me vendim gjykate.

Nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan nuk japin sqarime të drejtpërdrejta nëse kishin rekomanduar kthimin e fëmijëve në familje: “Nuk mund të flas për një vendim që është marrë nga një kolegjium, por mund të flas që është marrë një vendim prej një grupi të ekspertëve të cilët ishin pjesë e shqyrtimit gjyqësor”.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve hedhin dyshime për neglizhencë institucionale, duke pretenduar mungesë të vizitave monitoruese në familje: “Vizitat e potencova që janë bërë sipas nevojës edhe me planin e shërbimit zyrtar institucional po besoj që vizitat dhe gjërat e tjerë për të mos pengaur procesin e inspektimit dhe pjesën e hetimeve besoj që do të dalim me një deklaratë rreth inspektimit të lëndës në fjalë”.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka autorizuar mekanizmat për hetim dhe pret raportet përkatëse për të vlerësuar përgjegjësitë: “Ne po presim edhe raportin kronologjik të mbikëqyrjes profesionale dhe po presim raportin preliminar të inspektimit për të identifikuar se cilat veprime janë ndërmarrë dhe cilat janë ato veprime që është dashur të ndërmirren dhe nuk janë ndërmarrë”

Ndërkohë, gjashtë fëmijët e tjerë të familjes janë larguar dhe ndodhen nën përkujdesjen e institucioneve shtetërore: “Fëmjët janë vendosur në një vend të sigurtë dhe janë duke marr përkujdesje insitucionale në përpupthje me përgjigjesitë e të gjithë mekanizmave që kanë përgjegjësi në kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare”.

Sipas Klinikës së Pediatrisë, 5-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në të dy shputat e këmbëve dhe ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos