Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, tre personat që u arrestuan gjatë sulmit të Banjskës, u sollën me masa të rrepta sigurie në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Ata dolën për herë të parë para gjykatës për akuza të rëndë të terrorizmit dhe kundër rendit juridik e kushtetues të Kosovës në rastin e sulmit të Banjskës.
Megjithatë, të njëjtit nuk patën mundësi të deklarohen nëse janë të fajshëm apo jo, pasi seanca fillestare është shtyrë me kërkesën e mbrojtjes se tre të pandehurve se nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Gjykatësi Arben Hoti mori vendim që çështja ndaj tre të akuzuarve të vijojë ndaras grupit prej 42 personash të cilët gjenden në arrati. Në lidhje nëse të njëjtit do të mund të gjykohen në mungesë, Hoti tha se do të kërkojë interpretim juridik nga Gjykata Supreme.
Tre avokatët serbë që përfaqësonin tre të akuzuarit fillimisht patën ankesa që aktakuzën, provat dhe shkresat e tjera i kanë pranuar vetëm në formë elektronike.
“Ne i kemi pranuar shkresat në formë elektronike por edhe më tutje kemi kërkesë ndaj prokurorisë që të na dërgojë shkresat e lëndës në formë fizike”, tha Lugomir Pantoviç, avokat i Blagoje Spasojeviq.
“Palët e dëmtuara kanë interes juridik që sa ma shpejtë të përfundojë ky gjykim për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, tha Arianit Koci, avokat i familjes së Afrim Bunjakut.
“Kemi të bëjmë me material dhe prova të cilat përmbajnë me mijëra dokumente prandaj në rrethana të tilla, kemi të bëjmë me prova videoincizime, fotografi, ekzaminime të pajisjeve, e vetmja formë që është e lehtë edhe për mbrojtjen ka qenë mënyra e dorëzimit përmes formës elektronike”, u shpreh Naim Abazi, prokuror.
Pasi gjykatësi i dha të drejtë prokurorit në këtë pikë, avokatët serbë kërkuan ndërprerjen e seancës pasi klientët e tyre nuk e kishin ende aktakuzën, ndërsa vetë ata nuk kishin pasur kohë t’i shikonin në tërësi provat e shkresat e çështjes.
“Unë nuk kam pasur mundësi që një masë të nevojshme në mënyrë adekuate të konsultohem me të mbrojturin tim posaçërisht në lidhje me pyetjen rreth deklarimit të fajësisë”, tha Lugomir Pantoviç
avokat i Blagoje Spasojeviq.
“Ne kemi dëshmi që mbrojtja aktakuzën e ka pasur në posedim në kohë të mjaftueshme dhe në afat të arsyeshëm siç e ka përcaktuar kodi i procedurës penale”, tha prokurori Abazi.
Megjithatë në këtë pikë, gjykatësi i dha të drejtë mbrojtjes duke e shtyrë seancën për datën 9 tetor.
Të pranishëm në seancë ishin edhe efektivët e plagosur në sulmin e Banjskës si palë e dëmtuar, ndërsa pati edhe të afër të të pandehurve. (A2 Televizion)