Politikani serb Aleksandar Arsenjeviç, dhe grupi i tij ekstremist, kanë kërcënuar dhe penguar grupin e xhirimit të A2 CNN në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut, gjatë realizimit të një interviste me zv.ministrin e Pushtetit Lokal Arbër Vokrri.
Gazetari Tomorr Avdia dhe operatori Burim Mjeku, janë sulmuar befasisht gjatë realizimit të punës nga dhjetëra ekstremistë serbë, të cilët kanë debatuar ashpër edhe me zv.ministrin Vokrri.
“Jo po na rrihni, po na shkelni të drejtat tona”, mësohet të kenë thënë disa prej serbëve. “Secili që shkel ligjin e pëson nga policia, pa marrë parasysh nëse është shqiptar apo serb”, u është përgjigjur Vokrri.
Debati u zhvillua në afërsi të Urës së Ibrit në Mitrovicë, në praninë e forcave policore.
Intervistën me zv.ministrin Vokrri mund ta ndiqni në Ditarin e Kosovës, sonte në orën 20:00. (A2 Televizion)