
Policia e Kosovës njoftoi të martën se ka nisur hetimet për veprën penale të “dhunimit”, pas dyshimeve për abuzimin e një të mituri.
Policia ka thënë se më 15 dhjetor e ka pranuar një informacion në stacionin në Fushë Kosovë për dyshimet se një i mitur është dhunuar.
Sipas njoftimit, institucioni po punon në identifikimin e të dyshuarit, dhe nuk ka ofruar më shumë hollësi për rastin.
Sipas autoriteteve të sigurisë, dyshimet sugjerojnë se i mituri ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt.
“Specialistë të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se prokurori i rastit është në fazën preliminare të çështjes dhe ka nisur mbledhjen e të gjitha informacioneve për këtë rast.
"Nuk mund të japin informacione të tjera sepse rasti ka të bëjë me të mitur dhe duhet të ruhet konfidencialiteti për mbrojtjen e të miturve", tha zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
Më 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me dyzet vjet burgim katër të akuzuar për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë. Ky rast kishte nxitur reagim në shoqëri, kur u mbajtën edhe protesta për të kërkuar “dënim meritor” për të dyshuarit.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime deri në dhjetë vjet burgim për veprën penale të dhunimit.
Sipas Kodit, kushdo që e detyron një person tjetër të kryejë akt seksual pa pëlqimin e tij mund të dënohet nga dy deri në dhjetë vjet burgim.
Ndërkaq, nga tre deri në dhjetë vjet burgim mund të dënohet kushdo që e detyron dikë tjetër të kryejë akt seksual duke e kanosur përmes zbulimit të një fakti që do ta “dëmtonte rëndë nderin ose reputacionin e personi apo një personi të lidhur ngushtë me të”./ REL (A2 Televizion)