Nderohet Afrim Bunjaku, Kurti: Serbia të mos konsiderohet shtet normal

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 17:16 | Kronikë

Rreshteri policor Afrim Bunjaku u kujtua në dyvjetorin e rënies në Banjskë të Zveçanit. Pranë varrit të tij në Samadrexhë të Vushtrrisë u përkulën zyrtarë të lartë shtetërorë dhe qytetarë të shumtë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se Kosova humbi një efektiv shembullor me përvojë të gjatë por fitoi më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit paqe e siguri. 

“Afrim Bunjaku nuk lejoi që policët e tjerë që ishin më të rinj se ai t'ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur aty në rrugë nga kamionët e grupit terrorist paramilitar të Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiçi, ai si një polic me përvojë të rinjtë nuk i la të sakrifikohen, të vetmohohen, të flijohen para tij”, tha Kurti.

Për aktin e agresionit që ndodhi më 24 shtator të vitit 2023 është ngritur aktakuzë një vit më parë ndaj 45 të akuzuarve në krye me Millan Radoiçiç. Kurti bëri thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë presion Serbisë për t’i dorëzuar ata te drejtësia kosovare. 

“Ne tash i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radoiçiç dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje Aleksandër Vuçiç”, shtoi kryeministri.

Për heroizmin e Afrim Bunjakut folën edhe zyrtarë të tjerë të cilët nderuan punën 22-vjeçare të Bunjakut si pjesëtar i Policisë së Kosovës.  

“Policë si rreshteri Afrim Bunjaku janë vazhdimësi e amanetit që e kanë lënë ushtarët eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra që Kosova me mbet një, e pandashme dhe unike”, tha kreu i Kuvendit.

Dy vite më parë, në orët e para të 24 shtatorit një grup paramilitar ushtarak serb i pajisur me armatim të rëndë sulmoi Policinë e Kosovës.  Sipas hetimeve, grupi kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës por që nuk arriti pas përplasjes me forcat policore duke bërë që të largohen në drejtim të territorit serb. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos