
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Sllobodan Radenkoviqit, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me dyshimet për vepra të rënda penale për ngjarjet e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan.
Sipas aktvendimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik real i arratisjes së të dyshuarit, për shkak se ai ka shtetësi të Serbisë, si dhe rrezik i pengimit të hetimeve përmes ndikimit te dëshmitarët dhe bashkëkryesit, apo përmes asgjësimit dhe manipulimit të provave.
Për këto arsye, gjykata ka konstatuar se asnjë masë tjetër, përveç paraburgimit, nuk garanton zhvillim normal të procedurës penale. Në dosje thuhet se Sllobodan Radenkoviqit më 29 maj 2023, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me një numër të madh personash të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë aktive në një turmë të organizuar me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze.
Sipas dosjes hetimore, grupi ka vepruar me dhunë për të penguar vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore, duke kundërshtuar drejtpërdrejt institucionet e vendit. Edhe pse ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it kishin dhënë urdhra të qartë për shpërndarje paqësore të turmës dhe për ndalimin e hyrjes në objektin e komunës, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar.
Në aktvendim thuhet se janë përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, duke rezultuar me plagosjen e të paktën 30 pjesëtarëve të KFOR-it, prej të cilëve tre janë goditur nga predhat e armëve të zjarrit. Përveç lëndimeve në njerëz, janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale, shkruan A2 CNN.
Sipas gjykatës, gjatë përleshjeve janë dëmtuar rëndë automjete të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe vetura të gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes. Disa automjete janë djegur plotësisht, ndërsa të tjera kanë pësuar dëmtime të rënda fizike. (A2 Televizion)