Ky është Liridon Rexhepi, shqiptar i Kosovës. Ai është arrestuar nga policia e Stambollit me kërkesë të Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë pasi akuzohet se punonte për Mossad-in e Izraelit. Agjencia e lajmeve Andaollu, duke cituar burime të sigurisë, raporton se Rexhepi ishte personi kryesor që menaxhonte rrjetin e parave të inteligjencës së Izraelit në Turqi. Madje pretendohet se është mësuar dhe se si funksiononte skema. Media Haber Turk shkruan se Liridon Rexhepi, me udhëzim të Shërbimit Informativ izraelit ishte zgjedhur që të kryente operacione psikologjike kundër politikanëve palestineze.
Ai i transferonte para personelit në terren në Turqi dhe përpilonte informacione për frontin sirian. Të gjitha lëvizjet dhe aktivitetet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij janë monitoruar. Organizata Kombëtare e Inteligjencës konfirmoi se ai kishte bërë transferta të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Western Union. Veprimet e tij janë monitoruar që në momentin kur hyri në Turqi më 25 gusht.
Haber Turk
Agjencia publike e lajmeve, Anadollu, raporton se Mossadi përdorte edhe Kosovën për këtë skemë.
“Si rezultat i operacioneve të kryera nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës, është konstatuar se MOSSAD-i ka transferuar para për personelin e tij në terren në Turqi nga vendet e Evropës Lindore, veçanërisht nga Kosova. Nga gjurmimi i parave, u mësua se personeli në terren në Turqi i transferonte paratë që vinin nga Kosova në nënburime në Siri përmes Western Union dhe kriptomonedhës.”
Anadolu Ajansi
Arrestimi i Rexhepit u bë më 30 gusht. Siç raportohet, në deklaratën e tij në një komisariat të Stambollit ka pranuar për efektivët turq se ka bërë transferta parash. (A2 Televizion)