Pronat e sekuestruara të Radoiçiçit i kalojnë Policisë së Kosovës

Nga Ideal Gola
24 Korrik 2024, 20:39 | Kronikë

Qeveria miratoi të mërkurën ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ që i hapi rrugë që pronat e sekuestruara të Millan Radoiçiçit në veri t’i kalojnë në shfrytëzim Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Një banesë dhe një restorant në Mitrovicë të Veriut si dhe vila e famshme në Ujman, ishin mes pronave që iu sekuestruan Radoiçiçit nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës pasi ish-nënkryetari i Listës Serbe mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.

Shfrytëzimi dhe menaxhimi i këtyre pronave nga institucionet e sigurisë u vlerësua si i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territoriale në përgjithësi. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha: “Ky ndryshim është bërë edhe me qëllim që disa prona që janë në fazën e sekuestrimit dhe që gjenden në pika të një rëndësie të veçantë strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë me synim të vetëm për ngritjen e sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale dhe rendit publik në atë pjesë të vendit bëhet fjalë në këtë rast për pronat e kryeterroristit Millan Radoiçiç, këto prona që kanë qenë të tij, tashmë janë nën meanxhim të Minsitrisë së Drejtësisë”.

Me të njëjtin arsyetim, atë të sigurisë, por pa dhënë detaje, Ministrisë së Punëve të Brendshme i kaluan edhe dy prona të tjera në veri nga Ministria e Bujqësisë. Imri Demelezi, zëvendësministër i Bujqësisë, theksoi: “Për shqyrtimin e kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronave në zonat kadastrale në Jesenovik të Epërm dhe Çeçevë të komunës së Zubin Potokut, prona këto që për titullar kanë Agjencinë Pyjore të Kosovës, respektivisht Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Shqyrtimi i këtij vendimi vjen si kërkesë për ngritjen e kapaciteve në aspektin e sigurisë publike”.

Kohë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se vilën e Radoiçiçit planifikojnë që ta shndërrojnë në stacion policor, ku do të vendet njësiti i barkave të Policisë së Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos