Ministra e Jashtme e Kosovës ka konfirmuar se personi që u vra nga policia e Serbisë në Loznicë, pasi i mori jetën me armë zjarri policit kufitar Nikolla Krsmanoviç, është i riu Faton Hajrizi.
Sipas ministrsë shenjat e gishtave të dërguara nga ana e autoriteteve serbe pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor korrespondojnë me ato të Hajrizit.
“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.”
Më tej ministria kërkon nga qytetarët që të marrin me rezervë lajmet që vijnë nga Serbia në lidhje me ngjarjen në fjalë. (A2 Televizion)